Hakan Calhanoglu ka befasuar jo pak me përgjigjet e dhëna në prag të sfidës që Turqia do të luajë me Kosovën në stadiumin “Fadil Vokrri” të martën në mbrëmje.
Kapiteni i skuadrës turke, i cili ka rikuperuar në kohë dhe do të jetë në dispozicion të trajnerit Vinenzo Montella për të marrë disa minuta në këtë duel, ka treguar se ndaj kundërshtarit ekziston një marrëdhënie shumë e mirë, ndërsa ka thënë se falë miqësive që ka krijuar me lojtarët shqiptarë, ka mundur të mësojë disa fjalë shqip.
“I njoh Vedatin dhe Vojvodën. Kam shumë shokë shqiptarë dhe i di disa që flasin në gjuhën e tyre. Këto fjalë s’mund t’i them këtu në konferencë”, ka deklaruar Calhanoglu.
Sipas yllit të Interit, ndeshjen do ta vendosë skuadra e cila luan më shumë me zemër dhe nënvizoi se në asnjë moment nuk ka nënvlerësuar asnjë kundërshtar me të cilin ka luajtur përballë.
