Gabimi fatal kundër Borussia Dortmund në golin e 2-të (ndeshja e parë në “Signal Iduna Park”, Gjermani), duket se ka lënë ende “gjurmë” te trajneri i Atalantës Raffaele Palladino.
Prej atij takimi, skuadra bergamaske ka zbritur në fushë 5 herë dhe kapiteni i Kombëtares Berat Gjimshit nuk e ka nisur më në asnjë rast si titullar.
Në sfidën e sotme ndaj Udineses, Atalanat nuk shkoi më shumë se barazimi 2 – 2 (2 ndeshje radhazi pa fitore në kampionat), aty ku sulmuesi Scamacca i shpëtoi nga humbja (dopietë).
Gjimshiti u fut si zëvendësues në minutën e 87-të, ndërsa deri në fundin e takimit, përfshirë edhe shtesën, ishin 10 minuta në fushë. Përgjatë këtij segmenti kohor, 33-vjeçari shqiptar nuk bëri asgjë, madje edhe në duelin e vetëm që pati, doli humbës.
Rendimenti i dobët prej Berat Gjimshitit, sikurse mungesa e minutazhit, mund të jap “pasoja” te Kombëtarja për ndeshjen e “Play-Off” kundër Polonisë.
