Humbja përballë Fiorentinës 0-2 në “Allianz Stadium” ka ngritur alarmin tek Juventus. Bardhezinjtë u turpëruan keq para tifozëve të tyre dhe pakënaqësitë për performancën e treguar në fushën e lojës ishin mëse të dukshme.
Me këtë verdikt, skuadra e Luciano Spalletit e sheh kualifikimin në Champions League për sezonin tjetër në kufijtë e së pamundurës, edhe pse “matematika” i jep njëfarë shprese për të tentuar në ndeshjen e fundit të kampionatit.
Por çfarë pritet të ndodhë, nëse “Zonja e Vjetër” dështon të përmbushë këtë objektiv? Mediat në Itali raportojnë për një “tërmet” largimesh të yjeve të ekipit, ndërsa dhe merkato në hyrje mund të sjellë “refuzime” nga futbollistë që janë lakuar për t’u afruar në merkaton e verës.
Dusan Vlahovic është një prej lojtarëve më të diskutuar në kampin bardhezi, pasi sulmuesi serb nuk e ka nënshkruar ende për rinovimin e tij dhe një mungesë hipotetike në Champions mund të bëjë që të ndryshojë mendim, kur në sfond ekzistojnë dhe interesimet e Barcelonës dhe Bayern Munich. Lojtarë të tjerë që mund të mendojnë largimin janë dhe Gelson Bremer, Francisco Conceicao, Khepren Thuram dhe Andrea Cambiaso, ndërsa i vetmi që mbetet i pashitshëm është Kenan Yldiz.
Po ashtu, edhe tratavitat për të përfituar shërbimet e yllit të Manchester Cityt, Bernardo Silvas, si dhe portierin Alisson mund të ngrijnë, nëse të dielën nuk arrihet fitorja e detyrueshme, shoqëruar dhe me rezultatet në favor nga ekipet rivale.
