Një foto e publikuar në Instastory nga Paula de la Fuente, bashkëshortja e presidentit të nderit tek Interi, Javier Zanetti, pjesë e së cilës është dhe talenti i Comos, Nico Paz, ka bërë gjiron e rrjeteve në mediat italiane.
Futbollisti 21-vjeçar, së bashku me babain e tij është parë nën shoqërinë e dy emrave legjendarë të klubit zikaltër, si Zanetti dhe Diego Milito. Kaq ka mjaftuar që tifozët të ëndërrojnë, pasi argjentinasi është prej kohësh në orbitën e tyre për të tentuar një afrim të mundshëm në Milano.
Pengesë për zikaltërit mbetet klauzola që ekziston në kontratën e Paz. Real Madrid ka mundësinë të aktivizojë që në korrik riblerjen e futbollistit për 9 milionë euro në vitin 2026, ose për 10 milionë verën e ardhshme.
Tek Como nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga ylli i tyre, pasi trajneri Cesc Fabregas e sheh si element të çmuar në formacionin startues. Një tjetër mundësi që Como mos t’ia kthejë mbrapsht “Galaktikëve” është që ta shesë lojtarin jashtë afateve ligjore të kontratës.
Në krahun tjetër ndërkohë, Inter fërkon duart. Në momentin e parë që kushtet për të negociuar do të jenë në favorin e tyre do të vihen në lëvizje, që në dritaren e ardhshme të transferimeve.
