Vedat Muriqi do të transferohet te Fenerbahce. Sipas medias turke “Haberler.com”, sulmuesi me origjinë nga Prizreni do të largohet nga Mallorca në fund të sezonit, për t’u rikthyer edhe një herë tjetër tek klubi nga Stambolli, ku ka luajtur në të shkuarën.
Sipas të njëjtës media, klubi i Mallorca dhe Fenerbahce kanë nisur negociatat dhe operacioni priTet të kryhet për 10 milionë euro. Edhe vetë sulmuesi 31-vjeçar ka dhënë “dritën jeshile”, duke preferuar transferimin në Turqi, shtet i cili i pëlqen të jetojë edhe me familjen.
Kujtojmë se në futbollin turk, Muriqi është aktivizuar me ekipe si Giresunspor, Genclerbirligi, Rizespor dhe Fenerbahce. Me këta të fundit spikati, të cilët më pas e shitën te Lazio për 21 milionë euro.
Ndërkohë që së fundmi, Barcelona shfaqi interesim serioz për shërbimet e tij, por shqiptari la me “gisht në gojë” katalanasit. Ndërkohë që “Haberler.com” për të përforcuar lajmin e transferimiT, njofton se është nënshkruar një kontratë paraprake.
Vlen të theksohet se këtë sezon, Vedat Muriqi po kalon formën e jetës. Në 30 ndeshje të LaLiga-s spanjolle që ka luajtur deri më tani, ai ka shënuar 21 gola dhe ka asistuar në 1 tjetër. Më shumë se shqiptari ka shënuar vetëm Kylian Mbappe, 23 gola.
