Mesfushori ofensiv brazilian, Rafinha i cili ka luajtur për ekipin e Interit por edhe për Barcelonën, do të tërhiqet nga futbolli. Fantazisti i i njohur ka bërë të ditur "pensionimin" e tij përmes një postimi në rrjetin social “Instagram”. Në këtë mënyrë Rafinha ka thënë dhe fjalët e tij të fundit sa i përket karrierës së tij të futbollit. Si fillim ai ka shpjeguar se dëmtimet e kanë lënë pak larg fushës por kjo largësi nuk i ka larguar ndjenjën e fortë dhe pasionin për lojën.
“Përshëndetje të gjithëve. Pas një kohe larg fushave dhe një rikuperimi të gjatë, sot dua të ndaj diçka shumë të rëndësishme për mua. Kam marrë vendimin për t’u tërhequr. Pak më shumë se një vit më parë, pësova një dëmtim në gju që fatkeqësisht më pengon të konkurroj më në nivelin më të lartë. Nuk ka qenë e lehtë ta pranoja. Futbolli ka qenë jeta ime që nga kujtimet e para, dhe të kuptoja se nuk mund t’i përkushtohesha më ashtu siç kam bërë gjithmonë ka qenë një proces i vështirë”, shkruan Rafinha.
Ai thekson se e gjithë aventura e tij ka qenë e larmishme dhe e bukur pasi ka udhëtuar në vende të ndryshme, ka mësuar gjuhë të reja, ka takuar kultura dhe njerëz që i kanë lënë mbresa të mëdha.
“Kam pasur privilegjin të ndaj dhomat e zhveshjes me idhuj, të mbroj klube që i admiroja që fëmijë dhe të ndiej pasionin e tifozëve në çdo stadium. Futbolli më ka dhuruar momente të paharrueshme dhe më ka lejuar të punoj me profesionistë që më kanë treguar sa me fat kam qenë”, shkruan ai.
Por më shumë se gjithçka tjetër, familja është e para dhe për këtë fantazisti ia dedikon të gjitha sukseset familjes dhe mbështetjes së tyre.
“Po ndërtoj një familje të mrekullueshme që më mbush me krenari dhe lumturi, dhe që ka qenë thelbësore në këtë hap të ri të jetës. Faleminderit të gjithë familjes sime, të gjithë për mbështetjen dhe faleminderit futbollit që më bëri atë që jam”, ka përfunduar shkrimin 32-vjeçari.
Kujtojmë se braziliani gjatë karierrë së tij ka luajtur për Barcelonën, Celta Vigon, Interin, PSG-në, Real Sociedad dhe Al Arabi SC.
