Real Madrid është duke përjetuar një tjetër sezon të vështirë. Performancat e javës së fundit, kanë vënë në dyshim dhe të ardhmen e trajnerit Alvaro Arbeloa, i vënë nën presionin e rezultateve zhgënjyese që nisën me eleminimin e hershëm nga Kupa e Mbretit përballë modestëve te Albaceste dhe dy humbjet në kampionat që çuan dhe shkëputjen nga kreu me katër pikë.
Presidenti i klubit, Florentino Perez e ka të qartë se në krye të skuadrës kërkohet një revolucion, duke nisur me stolin, pasi të shkarkojë ish trajnerin e skuadrës B të klubit, i ardhur si emergjencë pas largimit të Xabi Alonsos.
Zgjedhja e Perez e ka emrin Max Allegri, aktualisht trajneri i Milanit, i cili ka një kontratë të vlefshme deri në verën e vitit të ardhshëm. Klima e tensionuar mes trajnerit Livornez dhe drejtuesve të Milanit mund të shfrytëzohet nga presidenti i Realit i cili e do me patjetër që në sezonin ardhshëm. Siç raportojnë dhe mediat në itali, ekziston një mënyrë se si Reali mund ta shkëpusë Allegrin nga Italia.
Mësohet se trajneri ka vënë “në pjatë” dy kushte për të thënë “po”-në vendimtare ndaj propozimit të Perez. Bëhet fjalë për Luka Modriç dhe Adrien Rabiot, emra të cilët për Allegrin mbajnë vulën e një transferimi të tij nga Milano në Madrid. Thuhet se Modriç, në rast se trajneri pranon ofertën do të bëhej asistenti i tij, ndërsa Rabiot një titullar në mesfushën e skuadrës.
Gjithçka do të përcaktohet në fund të këtij sezoni, ku Milan lufton për një rikthim në Champions League, një ndër objektivat e Allegrit për të mbetur në stol, e në anën tjetër, Reali i cili lufton në dy fronte për të ruajtur gjallë shpresat e fitimit të një trofeu.
