
Trishtimi dhe dhimbja ka kapluar familjen e Matthias Verreth dhe bashkëshorten e tij, Seli Muyabo Verreth. Është ndarë nga jetë djali i futbollistit belg, Elliot Charles, i cili ishte vetëm 1 vjeç dhe 2 muajsh.
Lajmi i hidhur është bërë i ditur nga klubi i Bari, ku nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka shprehur gjithë dhimbjen për të voglin e familjes Verreth. Lojtari menjëherë ka lënë grumbullimin dhe është nisur drejt Belgikës.
“Jemi pa fjalë teksa ndajmë lajme që sapo na kanë tronditur thellësisht secilin prej nesh.
Presidenti Luigi De Laurentiis, stafi i trajnerëve, i gjithë ekipi, menaxhmenti dhe bashkëpunëtorët e kuqe e të bardhëve shprehin ngushëllimet e tyre më të thella për Matthias Verreth dhe familjen e tij në një nga momentet më të tmerrshme që një prind dhe një qenie njerëzore mund të përjetojë: vdekjen e papritur dhe të parakohshme të një fëmije.
U kërkojmë të gjithë tifozëve, meshkuj dhe femra, të shprehin ngushëllimet e tyre më të thella për Matthias, gruan e tij, fëmijën e tyre të parë dhe të gjithë të dashurit e tyre në këtë moment pikëllimi të tmerrshëm. Grupi kuqe e të bardhëve do të kthehet në Bari sot në shenjë zie dhe respekti për një tragjedi të tillë”, thuhet në postimin e klubit.