Vllaznia ka fituar me përmbysje përballë Malishevës, në ndeshjen e parë të raundit të parë të Conference League. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi”, përfundoi me shifrat 2-1. Pas këtij dueli ka folur “Lojtari i Ndeshjes”, Emiljano Musta.
“Ndonjëherë shkon mirë, ndonjëherë keq. Për fat të mirë shkoi në rrjetë. Kam vite që luaj në Superligë. ‘Loro Boriçi’ është tempulli i futbollit shqiptar. Ka tifozë të mrekullueshëm. Ka qenë gjithmonë e vështirë të luaje kundër Vllaznisë, kundër tifozëve të Vllaznisë. Tani jam i lumtur që i jap sado pak kënaqësi edhe tifozëve në shkallët e stadiumit.
Është shumë e vështirë, jemi kontigjent pak i cunguar. Dhe jo për fajin tonë. Ne do përgatitemi me lojtarët që kemi. Këto ndeshje janë vajtje-ardhje, dhe të sikletshme. Jemi në avantazhin e një goli dhe shpresoj ta mbajmë. Qëllimi është të kualifikohemi.
Mendoj që ishte pak pjesa e përqëndrimit. Kur ekipi kundërshtar është me 10 lojtar, bie edhe pak përqëndrimi. Për fat të mirin tonë dhe të keq të Malishevës, ata nuk shënuan, patën dy raste që mund të shënonin dhe të barazonin ndeshjen. Titulli? Shpresoj të jem me këmbën e mbarë.
Çfarë duhet? Merkato patjetër. Kur vendosa të largohem nga Elbasani dhe të zgjedh Vllazninë, një nga arsyet kryesore ishte që të shpallesha kampion. Patjetër Vllaznisë nuk i ka hije që të luajë për mesin e tabelës. Gjithmonë ka luftuar dhe do luftojë për kampion këtë vit. Duhet merkato. Siç e shikoj nga brenda, është një ambient mjaft i shëndetshëm. Janë njerëz që e duan shumë futbollin. Na duhet pak më shumë qetësi në të ardhmen dhe një kontiigjent më i plotë.
Me Avdylin kam luajtur edhe te Kukësi. Është portier mjaft i mirë, portieri i Malishevës. Duke e njohur, vendosa të godisja në krahun e tij. Është portier mjaft i mirë, por që ndonjëherë lëviz para kohe. Për fat të mirë shkoi në rrjetë”, tha Musta.
