
Apolonia largoi trajnerin Dovedan pas humbjes me Flamurtarin në finalet e Play-Off. Fierakët janë hedhur menjëherë në treg për të gjetur zëvëndësuesin e tij dhe pasgati 1 muaji, e kanë gjetur. Yerai Rodriguez do të jetë trajneri i ri i Apolonisë.
Me anë të një postimi në rrjete sociale, klubi njofton se pas shumë negociatave, kanë arritur marrëveshjen me teknikun spanjoll i cili ka firmosur dhe do t’i përvishet punës për të ndërtuar ekipin e ri së bashku me drejtuesit.
Në një intervistë për klubin, Rodriguez tregon arsyet pse zgjodhi fierakët dhe cilat do të jenë objektivat e tij këtë sezon.
Pas negociatave që keni patur me Klubin, ju jeni zgjedhur kryetrajneri i Ekipit të F.K. Apolonia. A jeni i kënaqur?
Ndihem krenar! Kënaqësia do të vijë kur të bëhet puna.
A e njihni nivelin e futbollit shqiptar dhe konkretisht të F.K. Apolonia?
Që ta njihja duhej të kisha ndjekur ndeshjet dhe videot e tyre. E pashë ndeshjen e fundit të kombëtares së Shqipërisë, që e fitoi, por ende kam nevojë dhe dua ta njoh shumë më mirë. F.K. Apolonia është një klub historik që punon shumë mirë me akademinë dhe madje kam të njëjtën qasje që lojtarët e rinj nga Akademia mund të arrijnë ekipin e parë dhe të jenë në gjendje të konkurojnë. Më pëlqen kjo, është një filozofi e mirë për t’i bërë lojtarët të arrijnë në ekipin e parë.
A mund të na përshkruani eksperiencën dhe punën tuaj si trajner futbolli në vite?
Eksperienca ime si trajner ka qenë që të punoja shumë dhe gjithmonë dua që të mësoj. Pak nga pak e kam përgatitur veten si trajner duke filluar nga skuadrat e akademive për të arritur te skuadrat e para profesioniste e të arrij objektivat e vendosura. Unë kam punuar në vende të ndryshme në Spanjë, Kinë dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Cilat do të jenë pikat tuaja më të forta për ta ngjitur Apoloninë në “Abissnet Superiore”?
Angazhim, punë, përpjekje, respekt dhe përulësi. Punoj që të marr maksimumin nga lojtarët e mi individualisht dhe si skuadër. Nga këto do të përpunojmë dhe planifikojmë një ide dhe model loje bazuar te lojtarët që ka skuadra e F.K. Apolonia.
Gjithmonë kam qenë ambicioz dhe shumë kërkues në çdo gjë, duke u kujdesuar për të gjitha detajet për të qenë konkurues.
Cilat janë objektivat tuaja në ekipin e parë të meshkujve Apolonia?
Objektivat janë të qarta, punë e vazhdueshme, kërkesë maksimale për t’u përmirësuar çdo ditë si skuadër dhe po ashtu dhe në çdo ndeshje. Dhe të jemi të aftë që t’i bëjmë tifozët tanë krenarë për F.K. Apoloninë.
Shkojmë Apolonia!