
Teun Koopmeiners është një nga mbrojtësit më të fortë në Serie A, për të cilin merkatoja e verës do të jetë shumë e zhurmshme. Këtë herë nuk bëhet fjalë për zëra, por për interesime direkte dhe dëshirë e vetë lojtarit për t’u larguar nga Atalanta.
"I thashë klubit që në verë dua të lëviz. Do të gënjeja nëse do të thoja që nuk kam lajme mbi interesimin e Juventusit, por edhe nga klubet angleze. Unë për disa klube angleze do ta duroj edhe shiun”, ka theksuar mesfushori, për të cilin ka interesim konkret nga Juventusi në Serie A.
Për t’u larguar nga Bergamo fillimisht për të duhet të mbërrijë një ofertë tunduese për Atalantën, me drejtuesit që do të vendosnin për të ardhmen e tij. Kujtojmë se vitin e kaluar u kërkua nga Napoli, por palët nuk arritën të gjenin marrëveshjen mes tyre.
Ndërkohë 26-vjeçari ka kontratë të vlefshme deri në qershor të vitit 2027. Këtë sezon me fanelën e Atalantës ka luajtur në 34 ndeshje në të gjitha kompeticionet, ku ka shënuar 12 gola dhe ka dhënë edhe 4 asiste.