
AEK dhe Panathinaikos do të përballen këtë të diel për të luajtur derbin e Athinës. Supersfida që do të zhvillohet në stadiumin “OPAP Arena”, do të startojë në orën 19:00.
Duke qenë se është një duel mjaft i “zjarrtë” me vetëm 3 pikë diference, ku Panathinaikos numëron 56 dhe AEK 53, Federata Greke ka menduar që këtë ndeshje ta arbitrojë një arbitër i huaj. Grekët ia kanë besuar këtë sfidë pikërisht tre arbitrave shqiptarë.
Kryesori i kësaj supersfide do të jetë Enea Jorgji, ndërsa asistentët e tij do të jenë Denis Rexha dhe Ridiger Çokaj. Kjo treshe ka në “dorë” fatet e sezonit për dy ekipet, pasi po “luftohet” për një vend në Champions League.
Kujtojmë se me AEK aktivizohet edhe portieri i Kombëtares shqiptare, Thomas Strakosha.
Kjo heq mundësinë e Jorgjit për të qenë në një nga ndeshjet e së dielës të futbollit shqiptar. Arbitri në fjalë nuk do të jetë as në Tirana - Pogradeci, e vlefshme për “play-out” dhe as në gjysmëfinalen e parë të Final 4 mes Dinamos dhe Vllaznisë.