Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

SUPERIORE

Zhvillohet sfida e prapambetur e javës së parë, Dobi përpara Dinamos: Hyjmë në këtë ndeshje me mendje vetëm tek tre pikët

Shkruar nga NEWSPORT
Zhvillohet sfida e prapambetur e javës së parë, Dobi përpara
Enkeleid Dobi

Ditën e nesërme do të rikthehen në fushë Teuta dhe Dinamo për të zhvilluar sfidën e prapambetur të javës së parë të Superiores. Ekipet vijnë në këtë sfidë pas disa rezultateve jo pozitive.

Kryeqytetasit u mposhtën në transfertë ndaj Elbasanit, ndërsa ekipi durrsak u ndal në barazim nga Vora. Në prag të sfidës së nesërme, trajneri i Teutës, Enkeleid Dobi ka dalë në konferencë për shtyp për mediat.

Si e keni përgatitur skuadrën për sfidën ndaj Dinamos?

“Si çdo ndeshje tjetër, edhe këtë herë jemi përgatitur me seriozitet. E vetmja gjë që ka ndryshuar është fakti se kemi pasur më pak kohë në dispozicion krahasuar me një javë normale mes ndeshjeve.

Çfarë prisni nga kjo ndeshje dhe cilat janë objektivat kryesorë të Teutës?

Objektivi ynë kryesor është fitorja dhe për këtë jemi përgatitur. Natyrisht, fusha është ajo që do të tregojë rezultatin, por skuadra ime, stafi dhe i gjithë klubi hyjmë në këtë përballje vetëm me mendjen te tri pikët.

Kush janë pikat më të rrezikshme të Dinamos dhe si mendoni t’i neutralizoni?

Dinamo edhe sezonin e kaluar zhvilloi një kampionat të mirë dhe ka ruajtur vazhdimësinë, si në staf ashtu edhe në organizimin e klubit. Kohët e fundit ka treguar ambicie të larta, sidomos me paraqitjet në Europë, ku dëshmoi se është një ekip solid. Sot, mund të them se është skuadra më e mirë në Shqipëri dhe meriton respektin tonë. Por ne kemi një moto: ‘Nëse do të të respektojnë të tjerët, respekto fillimisht veten’. Ne e respektojmë veten tonë dhe në fushë do të luftojmë vetëm për fitore.

A do të ketë ndryshime në formacionin ose sistemin tuaj të lojës për këtë takim?

Së bashku me stafin po e analizojmë situatën. Do të shohim gjendjen fizike dhe psikologjike të lojtarëve, pasi kjo është një pjesë shumë e rëndësishme. Ende kemi kohë deri nesër për të marrë vendimet e duhura dhe për të përcaktuar formacionin ideal.

Si është gjendja e skuadrës?

Gjendja e skuadrës paraqitet mirë, megjithëse nuk kanë kaluar ende 48 orë nga ndeshja e fundit. Kemi një zhgënjim të vogël nga rezultati i asaj sfide, jo nga loja, por tashmë e kemi lënë pas dhe fokusi ynë është te Dinamo. Nga ana fizike, mendore dhe emocionale jemi gati për të marrë një rezultat pozitiv. U bëj thirrje edhe tifozëve tanë që të na mbështesin, pasi kjo skuadër ka treguar dinjitet dhe karakter, dhe çdo ndeshje do të jetë gjithnjë e më e mirë.

Një koment për tifozët?

Tifozët janë gjithmonë të rëndësishëm, jo vetëm për Teutën, por për çdo ekip në botë. Ata janë pjesë e lojtarëve, klubit dhe qytetit. Ky ekip luan për ta. Teuta historikisht ka pasur një tifozëri të zjarrtë dhe nuk duhet ta harrojmë këtë. I ftoj “Djemtë e Detit” të jenë më pranë se kurrë, sepse ky është momenti më i duhur për të mbështetur skuadrën. Jam i bindur se do të jenë krenarë për atë që do të shohin në fushë.

Cili është mesazhi juaj për lojtarët përpara ndeshjes?

Mesazhi im është i thjeshtë: në jetë nuk duhet të lëmë asgjë për të ardhur keq, por çdo ditë duhet ta shfrytëzojmë për të dhënë maksimumin. Të punojmë fort, të stërvitemi dhe të luftojmë në fushë. Gjërat e jashtme nuk varen nga ne, por puna jonë po. Rezultatet do të vijnë, herët apo vonë, nëse secili jep gjithçka ka brenda tij.”, u shpreh Dobi.

Poll

Lexo gjithashtu