Vetëm një vit zgjati aventura e mesfushorit Sherif Kallaku te Vllaznia. Gjatë ditëve të fundit, 28-vjeçari vendosi të kalonte nga ekipi shkodran te rivali i drejtpërdrejtë në Superiore, Teuta. Para disa minutash, Kallaku ka postuar mesazh në rrjetet sociale, duke falënderuar klubin e Vllaznisë, lojtarët dhe tifozët.
“Të ndash rrugët me një klub si Vllaznia nuk është kurrë e lehtë, veçanërisht kur aty kam kaluar një nga vitet më të bukura të karrierës sime. I jam mirënjohës të gjithë djemve të ekipit për vitin që kaluam, me shumë sakrifica, si brenda fushës, ashtu edhe jashtë saj.
Në veçanti, i jam mirënjohës çdo tifozi që na qëndroi pranë, si në fitore, ashtu edhe në humbje, e sidomos tifozëve të vllaznit05.
Ndonjëherë, përtej pasionit të pastër, çdo futbollist ka nevojë për qetësi dhe kushte dinjitoze për të dhënë maksimumin në fushë.
Kur këto elemente mungojnë, detyrohesh të marrësh vendime që, ndoshta, thellë-thellë nuk do t'i kishe marrë në rrethana të tjera. Ju uroj vetëm suksese!”, mesazhi i Kallakut.
View this post on Instagram
