Prej orës 11:00, është mbajtur hedhja e shortit për sezonin e ri 2026-2027 në Abissnet Superiore, ku është përcaktuar edhe kalendari për javën e parë. Ky do të jetë edicioni i 88-të në elitën e futbollit shqiptar, ndërsa do të nis nga data 22 gusht (2026) deri në 9 maj të vitit 2027.
Goglat kanë rezervuar “përplasje” interesante që në javën e parë. Egnatia kampione do të pres Tiranën. Për trajnerin e rrogozhinasve, Nevil Dede do të jetë sfidë me të shkuarën, pasi ka luajtur dhe drejtuar te ekipi kryeqytetas.
Elbasani në pozitën e nënkampionit, udhëton në transfertën e vështirë të Laçit. Edlir Tetova në “timonin” e Teutës debuton karshi Partizanit, kryeqytet.
Vllaznia e Edi Martinit sfidohet nga Skënderbeu i Korçës. E fundit, por jo nga rëndësia, Dinamo e “çel” edicionin 2026-2027 ndaj Vorës si vendas.
JAVA 1
Partizani – Teuta
Laçi – Elbasani
Vllaznia – Skënderbeu
Dinamo – Vora
Egnatia – Tirana
