
Jemi në atmosferën e derbit dhe skuadrat po i japin fund përgatitjeve në të gjitha aspektet për të qenë gati për fërshëllimën e parë. Tirana dhe Partizani përballen për herë të 4-të këtë sezon në një duel që do të nxjerrë verdikte në përfundim të 90 minutëshit.
Përplasje e nxehtë dhe për ta ndezur më shumë mendon Tirana që me një postim në faqen zyrtare rikthen në kujtim golin spektakolar të Redon Xhixhës në fitoren historike 0-2 kur bardheblutë luanin me 10 lojtarë që prej pjesës së parë.
"Kthim pas, shihemi nesër", shkruan Tirana në diçiturën e fotos.
Ajo ndeshje përkon edhe me fitoren e fundit të Tiranës në derbi, më 2 tetor në sezonin e shkuar. Që nga ajo ndeshje, 6 derbit e tjerë rezultuan në 2 barazime dhe 4 fitore të të kuqve.
Kujtojmë që derbi i 174-të Tirana – Partizani do të luhet nesër në orën 19:00 në “Air Albania”, e vlefshme për javën e 33-të të Superiores.