Ditën e sotme në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, u hodh shorti për kalendarin e kampionatit “Abissnet Superiore” për sezonin futbollistik 2026/2027. Në ceremoninë e organizuar nga Federata e Futbollit morën pjesë përfaqësuesit e klubeve të “Abissnet Superiore”, si edhe përfaqësues të medias.
Ndërkohë që pas hedhjes së shortit, kanë thënë fjalën e tyre edhe disa prej zyrtarëve të klubeve të Superiores. Drejtori i Elbasanit, Elton Guranjaku, zyrtari i Egnatias, Xhevdet Zekaj, drejtori i Vorës, Bazjon Tragaj, ai i Dinamos, Luan Pinari si dhe trajneri i Tiranës, Dean Klafuric, kanë komentuar këtë short.
Dean Klafuric: Shorti është gjithmonë i paparashikueshëm dhe është diçka mbi të cilën ne nuk mund të ndikojmë. Por jemi të lumtur. Do t’i luajmë dy ndeshjet e para në transfertë, si fillim me Egnatian kampionen në fuqi, sigurisht do të jetë mision për ne. Ne do të përgatitemi sa më mirë që të jetë e mundur për nisjen e kampionatit. Siç thashë, Egnatia fitoi kampionatin dhe tani në kualifikueset e Champions League, të mërkurën ne do t’i ndjekim ata. Është pozitive që ne mund t’i shohim ata në një kompeticion, para se të përballemi me ta. Jam shumë i lumtur që do të jem pjesë e kampionatit shqiptar si trajner i Tiranës, është klubi me më shumë trofe në Shqipëri. Është një mundësi e mirë për mua dhe jam i lumtur që do të kem mundësinë që të mësoj më shumë për Shqipërinë.
Luan Pinari: Dihet tashmë se kur ke 10 ekipe, duhet të luash shumë shpejt me këto ekipe. Mund të themi që është një short i mirë, sepse e nisim brenda ndeshjen e parë dhe kjo ndoshta na jep një bonus pozitiv për fillimin e kampionatit. Tek Dinamo do të presim gjithmonë atë skuadër që do të jetë pretendente për të luajtur për vendet e para, do të jetë në luftë për objektivat maksimal. Do të jetë një Dinamo me më shumë eksperiencë dhe që e di çfarë kërkon. Me lojtarët që ka afruar, Dinamo është kundërshtar i denjë për të arritur në majat e futbollit shqiptar.
Bazjon Tragaj: E kishim menduar që në ndeshjen e parë të kishim filluar në shtëpi, por shorti u tregua pak... me dy të forta me Dinamon dhe Egnatian, që paraprakisht kanë nisur shumë më herët se ne stërvitjen, por ne jemi të movituar. E kemi treguar edhe vitin që shkoi, se jemi të përgatitur, tani le të shohim, ishalla shkon gjithçka mbarë në këtë sezon. Mendojmë fillimisht të sigurojmë Superligën dhe me elementët e ri që i bashkangjiten, mendojmë të synojmë diçka më lart.
Xhevdet Zekaj: Është më e vështirë ta mbrosh titullin, se sa ta fitosh. Egnatia ka qenë shumë serioze në të gjithë hapat deri më tani, me grupin e lojtarëve që janë larguar, por me prurjet e reja që janë në nivel shumë më të lartë se ata që kishim. Kjo tregon seriozitetin e z.Demrozi dhe z.Zenelaj për të bërë një ekip dinjitoz, për të synuar ashtu siç kemi objektiv, grupet e Evropës dhe titullin kampion. Nuk e fshehim, kemi objektiv sërish fitimin e titullit.
Elton Guranjaku: Tani shorti dihet, është njësoj për të gjithë, do të ndeshesh me të gjitha skuadrat e kampionatit. E fillojmë me Laçin në një transfertë të vështirë, ka histori në kampionatin shqiptar. Por mendoj se do të jetë një kampionat i bukur me sfida mjaft interesante. Ne kemi arritur ta nisim sezonin më 10 qershor dhe është një kohë e gjatë. Jemi në Evropë tani dhe na ndihmon në fillimin e kampionatit, që të jemi më gati se skuadrat e tjera. Ne i vlerësojmë të gjitha skuadrat njësoj, i marrim ndeshjet një nga një. Me të vërtetë është short interesant. Jemi të gëzuar që ulet numri i ndeshjeve këtë sezon, por jemi të përgatitur për gjithçka. Të gjithë kundërshtarët i vlerësojmë me respektin më të madh.
