Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

VENDI

OPINION/ Urime, PRESIDENT! Nuk e kam takuar kurrë...

Shkruar nga NEWSPORT
OPINION/ Urime, PRESIDENT! Nuk e kam takuar kurrë...
Armand Duka

Nga Haxhi Genti Lika 

Urime, PRESIDENT!
Nuk e kam takuar kurrë. Nuk kemi pirë kafe bashkë, nuk kemi ndarë biseda të gjata për futbollin apo për jetën. E njoh thjesht si emër. Si biznesmen. Si njeri që prej disa mandatesh qëndron në krye të futbollit shqiptar.
A ka qenë futbollist?

Nuk e di. A ka lidhje të fortë me fushën? Ndoshta jo aq sa disa do të donin.
Por di një gjë tjetër: rezultatet flasin. Dhe kur rezultatet flasin, zhurmat bien.
Po pse ia uroj kur s’e njoh?

Sepse unë besoj se urimi nuk është çështje miqësie, por parimi. Ia uroj çdo njeriu që, në një formë apo në një tjetër, ka bërë diçka që e ka ngritur kokën e këtij vendi.

Ne jetojmë në një kohë ku flitet shumë dhe bëhet pak. Ku kritika është sport kombëtar, por përgjegjësia është barrë që pak e marrin mbi supe. Prandaj, kur shoh një njeri që mban peshë, që merr vendime, që përballet me presion dhe sërish vazhdon, e respektoj.

Dhe më pas, mendja më shkon tek ne si komunitet.
Hoxhallarë kemi shumë. Fjalë kemi pa fund. Analiza kemi me tepri. Por njerëz me vizion, me karizëm, me zell për të organizuar, për të ndërtuar, për të ngritur struktura të forta — kemi pak. Shumë pak.
A ka ardhur koha?
Po. Është koha.

Koha që të kuptojmë se drejtimi nuk është vetëm dije, por edhe menaxhim. Nuk është vetëm retorikë, por edhe vizion. Nuk është vetëm kritikë, por edhe përgjegjësi.

Shoqëria ka nevojë për njerëz që dinë të ndërtojnë, të mbajnë përgjegjësi, të marrin vendime të vështira dhe të mos fshihen pas turmës. Ka nevojë për njerëz që punojnë në heshtje dhe flasin me rezultate.

Sepse në fund të ditës, një vend nuk ngrihet me duartrokitje, por me punë.
Dhe puna ka nevojë për vizion.
Prandaj, urime. Jo thjesht për postin, por për përgjegjësinë që mban.

Poll

Lexo gjithashtu