
Federata e Futbollit do të organizojë për të tretin vit radhazi seleksionime me futbollistë shqiptarë të talentuar, vajza dhe djem, që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada.
Seleksionimi do të zhvillohet më 28 qershor në kompleksin “Hudson Sports Complex, Warwick NY” dhe do të fokusohet te lojtarët e lindur në vitet 2009, 2010, 2011, 2012 dhe 2013.
Departamenti i Ekipeve Kombëtare në FSHF po punon prej disa muajsh për mbledhjen e të dhënave dhe përpilimin e listave të futbollistëve dhe futbollisteve që dëshirojnë të marrin pjesë në këtë seleksionim, në një zonë ku ka një komunitet të madh shqiptarësh.
Përgjegjësi i skautimit në FSHF, Ardi Behari, do të ndjekë nga afër të gjithë procesin me futbollistët shqiptarë të talentuar që jetojnë në SHBA dhe Kanada. Me këtë rast, u bëhet thirrje të gjithë të interesuarve që të aplikojnë për t’u bërë pjesë e kësaj eksperience, pasi afati i regjistrimit do të jetë i hapur edhe për disa ditë.
Të interesuarit duhet të dërgojnë të dhënat e tyre në adresën e emailit: [email protected], duke specifikuar: emrin, mbiemrin, datëlindjen, klubin ku aktivizohen, pozicionin në fushë, uebfaqen zyrtare të klubit, pasaportën që zotërojnë, si dhe një numër kontakti.