Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

VENDI

FSHF bën “me krahë” Laçin! Kompleks sportiv dhe investim strategjik, Federata “bashkon forcat” me Bashkinë Kurbin dhe klubin bardhezi

Shkruar nga NEWSPORT
FSHF bën “me krahë” Laçin! Kompleks sportiv dhe
Presidenti i Federatës, Armand Duka dhe Kryetarja e Bashkisë Kurbin, Majlinda Cara

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, zhvilloi sot një takim me Kryetaren e Bashkisë Kurbin, Majlinda Cara, ku në qendër të diskutimeve ishte zhvillimi i infrastrukturës sportive në qytetin e Laçit dhe forcimi i bashkëpunimit institucional në funksion të futbollit dhe komunitetit.

Gjatë takimit, palët ranë dakord për të bashkëpunuar në realizimin e projektit për ndërtimin e një kompleksi modern sportiv në Laç, një investim strategjik që do të realizohet në partneritet mes Federatës Shqiptare të Futbollit, Bashkisë Kurbin dhe Klubit të Futbollit Laçi.

Ky projekt përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm në strategjinë e FSHF-së për zhvillimin dhe modernizimin e infrastrukturës sportive në të gjithë vendin, duke krijuar kushte bashkëkohore për zhvillimin e futbollit dhe mbështetjen e brezave të rinj.

Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së ka miratuar mbështetjen për këtë projekt, ndërsa marrëveshja e bashkëpunimit mes tre palëve përcakton angazhimin e përbashkët për realizimin e një prej investimeve më të rëndësishme infrastrukturore në rajonin e Kurbinit.

Kompleksi i ri sportiv do të ndërtohet sipas standardeve moderne dhe do të përfshijë dy fusha futbolli me bar artificial me përmasa standarde, një fushë me bar natyral me përmasa standarde, si edhe një fushë me përmasa të vogla, duke krijuar një qendër të plotë stërvitore dhe zhvillimi për futbollin.

Federata Shqiptare e Futbollit do të kontribuojë me 50% të vlerës totale të investimit, Bashkia Kurbin me 30%, ndërsa KF Laçi me 20%, ku përfshihet edhe vlera e truallit të siguruar nga klubi.

Investimi është planifikuar të realizohet në tre faza. Në fazën e parë, për të cilën FSHF, Bashkia Kurbin dhe KF Laçi kanë rënë dakord të kontribuojnë së bashku, do të ndërtohen fushat sportive, infrastruktura rrugore e kompleksit dhe rrethimi i tij. Në fazat pasuese do të ndërtohen tribuna, ambientet mbështetëse me dhomat e zhveshjes, si edhe godina e hotelit, duke kompletuar të gjithë kompleksin sipas projektit të parashikuar.

Kompleksi do të krijojë kushte moderne për zhvillimin e futbollit në të gjitha nivelet dhe do të shërbejë si një qendër e rëndësishme për aktivitetin e KF Laçit, akademive sportive, ekipeve kombëtare, si edhe për komunitetin e Bashkisë Kurbin. Njëkohësisht, investimi do të kontribuojë në rritjen e standardeve të infrastrukturës sportive dhe në krijimin e mundësive më të mira për identifikimin dhe zhvillimin e talenteve të rinj.

Realizimi i këtij projekti konfirmon edhe një herë modelin e bashkëpunimit ndërmjet Federatës Shqiptare të Futbollit, pushtetit vendor dhe klubeve, si mënyra më efikase për të sjellë investime të qëndrueshme në shërbim të futbollit dhe komuniteteve lokale.

FSHF mbetet e angazhuar të vijojë investimet strategjike në infrastrukturën sportive në të gjithë Shqipërinë, me objektivin për të krijuar kushte sa më cilësore për zhvillimin e futbollit dhe për të lënë një trashëgimi të qëndrueshme për brezat e ardhshëm.

Poll

Lexo gjithashtu