
Dejan Vukiçeviç ka folur pas barazimit 1-1 kundër Vllaznisë. Laçi bëri një paraqitje pozitive kundër shkodranëve, por në fund nuk mundën të marrin një fitore.
Trajneri i kurbinasve merr pikën e dytë në ndeshjen e dytë radhazi duke tregua rnë këtë mënyrë se skuadra po reagon. Për mikrofonin e Oversport, Vukiçeviç deklaroi:
“Ekipi ka luajtur një lojë shumë të mirë në këtë ndeshje. Kemi bërë një gol dhe kemi sulmuar shumë mirë në shumë raste. Por, nuk kemi qenë të përqëndruar deri në pasimin e fundit. Jam i kënaqur se si ekipi ka luajtur dhe ka dëshiruar. Kishim një problem të vogël me ndryshimet. Alla dhe Mazrekaj ishin të dëmtuar. Të dy shumë të rëndësishëm për ne. Mund të them që lojtarët që kanë hyrë nga stoli s’e kanë bërë punën e tyre shumë mirë. Në 10, 15 minutat e fundit kemi pasur probleme. Unë mendoj se e kemi kontrolluar këtë ndeshje. Kemi provuar shumë herë nga jashtë zone për të shënuar. Por, në fund kemi marrë vetëm 1 pikë. Edhe me këtë pikë s’jemi të kënaqur.
E ardhmja? Unë nuk kam asnjë problem këtu. Situata ime është shumë në rregull. Thjesht presim pikët e duhura për ndeshjet e tjera. S’mund të them që jam i qetë. Do doja të rrija këtu shumë vite. Por nëse rezultatet nuk më mbështesin, unë e di shumë mirë se si është kjo punë.
Mazrekaj? Po jemi të varur. Shumë ekipe të mëdha, mbështeten te lojtarët e mëdhenj. Mazrekaj është shumë i rëndësishëm për të pasur në fushë”, tha ai.