
Egnatia dhe Kastrioti barazuan 0-0 për javën e gjashtë në Superligë. Sfida e Rrogozhinës ka parë një duel të luftuar dhe me nerva në fushë, me arbitrin Jorgji që nxorri nga xhepi tetë herë kartonin e verdhë.
Në fund sfida u tensionua, me skuadrat që kërkuan golin e tri pikëve por pa sukses. Skuadrat ndajnë pikët, Me Egnatian që shkon në kuotën e tetë pikëve në vendin e gjashtë, ndërsa me gjashtë pikë Kastrioti qëndron në vendin e shtatë.
Pas ndeshjes për Oversport foli trajneri i Egnatias, Edlir Tetova.
“Çfarë mungoi veç golit? Nuk ishim në detyrat e duhura taktike, vonesa në presionin që duhet të bënim, këto ishin. Barazimi ishte i drejtë për dy ekipet, ashtu si shkoi loja. U munduam të fusnim tre sulmues në pjesën e dytë por ishte e njëjta situatë. Do bëjmë analizat dhe do nxjerrim mësimet sepse lojtarët duhet të dalin te goli me idetë e mia. Rrugëdalja e topit dhe vonesat në presion, këto na ndalën për golin.
Detyrat e lojtarëve – Kishte mungesë presioni dhe vonesa, duhet të ketë më shumë lojë efektive. Kanë qenë të dëmtuar në fushë ose të lënduar. Kjo bën që ritmi të ulet.
Bëmë gabime individuale në pasime, mbulimi i zonave nuk ishte ku duhej. As me ndërrimin e skemave nuk u zgjidh kjo gjë. Impenjimi duhet të jetë maksimal, gjë që sot nuk ndodhi”, tha Tetova.