
Tirana fitoi ndaj Kukësit në transfertë me rezultatin 1-2 duke marrë 3 pikë të rradhës që e mbajnë në krye të renditjes. Në studion e emisionit “Skaner Superiore”, opinionistët Ermal Tahiri e Lirim Zalla, analizuan fitoren e bardhebluve duke evidentuar se kryeqytetasit fituan falë kualiteteve individuale ndërsa zotërimin e topit e patën verilindorët.
Ermal Tahiri: Kukësi kishte zotërimin e topit, ishte taktik apo jo nuk e di. Tirana u vu pak në vështirësi, pavarëissht kualiteteve që kishte Kukësi. Dy golat erdhën nga kualitetet e Tiranës. Si lojë sot Kukësi luajti mirë, por me atë mundësi që ka. Mund të shënonte më përpara, por në asnjë lloj mënyre, Tirana është ekip më lart, ka superioritet. Tirana e nënvlerësoi që në fillim. Nuk më pëlqeu shumë mesi i fushës dhe forma e sulmuesve të Tiranës.
Lirim Zalla: Tirana ishte e pamotivuar, luajti një lojë vetëm për ta zotëruar atë por jo për të rrezikuar. Nuk pati shumë sulme, ndërsa në pjesën e dytë u ndërgjegjësuan pasi duhet ta fitonin ndeshjen. Hila vendosi me një ndërhyrje të shpejtë brenda zonës, por goli i dytë ishte meritë totalisht e Latifit që dribloi dhe asistoi për Dokën. Kukësi është për mbijetesë, është në alarm për të grumbulluar pikë. Nuk premton për të kapur rezultate pozitive, goli ishte vetëm statistikë.