Trabzonspor do të presë këtë të shtunë në shtëpi ekipin e Galatasarayt, në ndeshjen e vlefshme për javën e 28-të të Superligës turke. Ndërkohë që Ernest Muçi është vënë në dispozicion të ekipit, pavarësisht problemeve fizike.
Ditën e sotme në Turqi kanë zbuluar edhe prapaskenat e këtij dëmtimi dhe gjendjes së ish-it të Tiranës. Mediat turke kanë nxjerrë në pah bisedën mes Muçit dhe trajnerit të Trabzonspor e doktorëve të ekipit.
“Do të luaj sido që të ndodhë. Është ndeshja më e rëndësishme e sezonit. Do t’i mbështes shokët e mi të ekipit në fushë”, janë fjalët e Muçit.
Kujtojmë se pas ndeshjes me Poloninë, sulmuesi kuqezi u largua nga grumbullimi i Kombëtares për shkak të një dëmtimi. Ndërsa këtë sezon po përjeton momentin më të mirë, me 13 gola dhe 8 asiste deri më tani.


