Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga Bashkia Kukës për të nderuar ish-futbollistët e viteve ’70-’80 të ekipit të Kukësit, në një ceremoni emocionuese të zhvilluar në Pallatin e Kulturës të qytetit.
Në këtë aktivitet morën pjesë dhjetëra ish-sportistë, familjarë të figurave të futbollit kuksian që nuk jetojnë më, tifozë të shumtë, si dhe personalitete të futbollit nga Shqipëria dhe Kosova.
Gjatë ceremonisë u vlerësuan me mirënjohje disa prej emrave që kanë lënë gjurmë në historinë e futbollit kuksian, si Shkëlzen Domi, Rakip Kukali, Leftet Maliqi, Lefter Guri, Mano Meçka dhe Hikmet Uka.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Duka theksoi rëndësinë e ruajtjes së historisë së futbollit dhe respektit për ata që kontribuuan ndër vite në zhvillimin e sportit.
“Për gjithë ata që kanë kontribuar në futbollin e Kukësit, me talentin e tyre, me punën e tyre, por edhe me sakrificën e tyre, sepse të gjithë jemi dëshmitarë që në atë kohë kanë luajtur një futboll në kushte jo shumë të mira dhe jo kaq moderne sa janë sot, kështu që falënderim i dyfishtë për ta dhe për të gjithë brezat”, – u shpreh Presidenti Duka.
Gjithashtu, ai vlerësoi rolin e futbollit si faktor bashkimi dhe rëndësinë e investimeve në infrastrukturë për të ardhmen e fëmijëve dhe të sportit në Kukës.
“Duke njohur historinë ne ndërtojmë edhe të tashmen. Dhe në të tashmen ne përpiqemi që të bëjmë më të mirën për futbollin. Besoj se kemi bërë diçka për Kukësin me mbështetjen e akademive, me investimet infrastrukturore dhe me stadiumin, që nuk është thjesht një arenë ku zhvillohen ndeshje futbolli, por një simbol i bashkimit që sjell futbolli dhe i kushteve më të mira për fëmijët dhe për të ardhmen”, – tha ai.
Presidenti Duka nënvizoi se FSHF do të vijojë mbështetjen për futbollin në Kukës, ashtu si në të gjithë Shqipërinë, ndërsa vlerësoi edhe kontributin e të gjithë atyre që e ngritën klubin e Kukësit në nivelet më të larta të futbollit shqiptar.
“Uroj ta shoh përsëri Kukësin në të njëjtat nivele dhe besoj se me mbështetjen e komunitetit dhe biznesit kuksian, ëndrrat e fëmijëve për të parë futboll cilësor në një stadium modern do të vazhdojnë të bëhen realitet”, – përfundoi kreu i qeverisë së futbollit.
Ndërsa, Kryetari i Bashkisë Kukës, Albert Halilaj, vlerësoi kontributin e brezave të futbollit kuksian, ndërsa falënderoi FSHF-në dhe Presidentin Duka për mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin e futbollit në qytet, veçanërisht për investimet në infrastrukturë sportive dhe ndërtimin e stadiumit modern “Kukësi Arena”.
