Në Uells, përpara se topi të niste të rrotullohej në fushë, një moment i veçantë bashkoi edhe më shumë komunitetin shqiptar me Kombëtaren e vajzave. Në kuadër të kësaj atmosfere, Federata Shqiptare e Futbollit i dhuroi fanella kuqezi fëmijëve të diasporës, duke i bërë ata të ndiheshin edhe më pranë ekipit dhe ngjyrave kombëtare. Fëmijët e diasporës shqiptare, të veshur me ngjyrat kuqezi, patën mundësinë të shoqëronin ekipin në fushë. Një përjetim që për ta shkon përtej futbollit. Një kujtim që lidhet me identitetin, me rrënjët dhe me krenarinë për të qenë shqiptar.
“I gjithë komuniteti ynë është shumë i gëzuar dhe normalisht edhe fëmijët, për mundësinë që na dhatë. T’i mbështesim vajzat dhe të arrijmë të mbajmë rrënjët nga kemi ardhur. Këtë kemi si qëllim për ne si komunitet këtu” – thotë për FSHF, kryetari i Shoqatës Kulturore Shqiptaro – Kosovare në Uells, Ilirjan Allamani.
Për komunitetin shqiptar në Uells, këto nuk janë thjesht ndeshje. Janë momente që bashkojnë breza të tërë. Edhe pse të shpërndarë në vende të ndryshme, ata bëhen gjithmonë bashkë për të mbështetur Kombëtaren në fushë.
“Ne na bën krenarë që të jemi këtu, të jemi afër Kombëtares së vajzave. Grupi vjen nga Cardiff, këtu jemi në një anë tjetër të Uellsit. Në mënyrë të theksuar, komuniteti këtu është gjithmonë i vogël me numër, por ama të gjithë kanë një pasion të jashtëzakonshëm për futbollin” – tregon sekretari i Shoqatës Kulturore Shqiptaro – Kosovare në Uells, Baf Kurtulaj.
Një komunitet i vogël në numër, por i madh në zemër. Dhe për disa, kjo lidhje me Shqipërinë është e ndërtuar ndër vite, larg vendlindjes.
“Traditat ne duhet t’i ruajmë dhe duhet të jemi shumë koshientë sepse unë kam gati 30 vite që jetoj këtu. Gruaja ime është angleze, fëmijët kanë lindur këtu, por kanë shumë pasion për Shqipërinë. Gjuha është një nga gjërat që na bën të diferencohemi nga vijmë” – nënvizon më tej, Baf Kurtulaj.
Disa udhëtojnë me orë të tëra, vetëm për të qenë aty. për të mbështetur Shqipërinë. “Unë kam ardhur nga 200 km për të parë këtë ndeshje. Jam shumë krenar që është Shqipëria që luan kundër Uellsit. Jemi shtet i vogël, por kemi arritur që të luajmë shumë mirë” – tregon një tifoz shqiptar i pranishëm në ndeshjen Uells – Shqipëri.
