
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar me shqetësim pas heqjes së flamurit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga një nga tribunat e stadiumit “Air Albania”. Pamjet kur disa policë heqin flamurin nga tribuna janë bërë virale dhe kanë ngjallur reagime.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, OVL e UÇK-së e ka quajtur këtë veprim një “therje në shpirt” për çdo familje dëshmori, luftëtar dhe qytetar që respekton sakrificën për liri. “Na dhemb zemra, oj nanë Shqipni,” thuhet në fillim të reagimit, ku theksohet se flamuri i UÇK-së nuk është thjesht një simbol, por përfaqëson gjakun e dëshmorëve dhe amanetin e tyre për liri.
“Ai flamur është varri i atyre që s’u kthyen kurrë,” theksohet ndër të tjera. Organizata u ka bërë thirrje institucioneve dhe shoqërisë që të tregojnë ndjeshmëri dhe kujdes.
Sipas Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, çështja e flamurit të UÇK-së nuk është çështje politike, por e kujtesës historike dhe kombëtare.
“Nuk kërkojmë asgjë më shumë veçse respekt për ata që s’kërkuan asgjë, përveç lirisë sonë,” përfundon reagimi i organizatës, që vjen në një moment kur debatet për simbolet e luftës dhe vendin e tyre në hapësirat publike kanë marrë vëmendje të gjerë.
Reagimi i plotë - Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së
Na dhemb zemra oj nanë Shqipni. Kur preket flamuri i UÇK-së, preket gjaku i Dëshmorëve tanë. Preket amaneti i tyre,preket liria për të cilën ata ranë. Ai flamur është varri i atyre që s’u kthyen kurrë, është kujtimi i atyre që jetojnë përherë në ndërgjegjen tonë.
Të na thuhet se nuk ka vend për të në tokë shqiptare, është një therje në shpirt për çdo familje Dëshmori, për çdo luftëtar, për çdo zemër që rreh shqip.
Nuk kërkojmë asgjë më shumë veçse respekt,për ata që s’kërkuan asgjë, përveç lirisë sonë. Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, jo me mllef, por me zemër të thyer, kërkon ndjeshmëri e kujdes,sepse kjo nuk është politikë, është kujtesë,dhe kujtesa është e shenjtë.