Federata Shqiptare e Futbollit ka përmirësuar imazhin e saj në opinionin publik gjatë viteve të fundit. Kjo konfirmohet nga raporti “UEFA Grow Market Research”, i realizuar nga UEFA në bashkëpunim me agjencinë prestigjioze Nielsen, i cili analizon perceptimin e publikut shqiptar për futbollin dhe institucionet që e drejtojnë atë.
Sipas studimit, perceptimi neto pozitiv për FSHF-në është rritur nga 47% në vitin 2016 në 52% në vitin 2026. Raporti tregon gjithashtu se 47% e të anketuarve kanë një imazh të fortë pozitiv për Federatën, një tregues që rezulton më i lartë se mesatarja europiane dhe më i lartë se ai i organizatave të tjera sportive në Shqipëri.
Gjetjet e raportit evidentojnë se niveli i njohjes së rolit të FSHF-së në administrimin, zhvillimin dhe promovimin e futbollit është dukshëm më i lartë se mesatarja europiane. Sipas studimit, besimi i qytetarëve se e kuptojnë rolin dhe aktivitetin e Federatës rezulton 43% më i lartë se benchmark-u europian.
Raporti tregon se sa më e njohur të jetë puna e Federatës për publikun, aq më pozitiv është edhe perceptimi ndaj saj. Mes qytetarëve që deklarojnë se e njohin mirë aktivitetin e FSHF-së, 83% shprehen pozitivisht për institucionin.
Në aspektin e vlerave që lidhen me Federatën, shqiptarët e përshkruajnë FSHF-në si një organizatë respektuese, progresive, të përgjegjshme dhe kompetente.
Këto perceptime bëhen edhe më të forta te ata që janë më të informuar mbi aktivitetin dhe projektet e Federatës.
Një nga gjetjet më domethënëse të raportit lidhet me arsyet pse publiku ka një opinion pozitiv për FSHF-në.
Shumica e të anketuarve e lidhin këtë perceptim me progresin dhe përmirësimin e vazhdueshëm të futbollit shqiptar, zhvillimin e futbollit për fëmijë dhe të rinj, investimet në infrastrukturë, si dhe sukseset e Kombëtares shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Studimi evidenton gjithashtu nivelin e lartë të njohjes së iniciativave të Federatës. Plot 63% e shqiptarëve deklarojnë se njohin të paktën një projekt ose iniciativë të FSHF-së. “Projekti 100 Fushat” rezulton iniciativa më e njohur, ndërsa programi “Topi Yt” gjeneron një ndikim të fortë emocional dhe perceptim pozitiv te publiku.
Raporti tregon se 68% e shqiptarëve e lidhin FSHF-në me Kombëtaren shqiptare, një rritje krahasuar me vitin 2016, duke reflektuar ndikimin e ekipeve kombëtare në identitetin dhe imazhin e futbollit shqiptar.
Një tjetër tregues i rëndësishëm është mbështetja e publikut për zhvillimin e mëtejshëm të futbollit. Sipas studimit, 85% e të anketuarve mendojnë se futbolli duhet të mbështetet më shumë financiarisht, ndërsa 81% vlerësojnë se nevojiten politika dhe iniciativa shtesë për zhvillimin e tij.
Gjetjet e raportit konfirmojnë se investimet, projektet e zhvillimit dhe rezultatet e arritura në vitet e fundit kanë ndikuar në forcimin e imazhit të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe në rritjen e besimit të publikut ndaj rolit të saj në zhvillimin e futbollit në vend.
