Kombëtarja U-21 ka nisur prej të dielës grumbullimin në Antalia të Turqisë, në kuadër të ndeshjes miqësore ndaj Uzbekistanit, që do të luhet më 30 mars në ora 14:30 në Antalia. Skuadra kuqezi e drejtuar nga trajneri Alban Bushi ka zhvilluar disa seanca stërvitore me grupin e lojtarëve të grumbulluar në Turqi.
Nga grumbullimi në Antalia, folën për fshf.org dy lojtarët e Kombëtares U-21, të sapoardhur në skuadër, Benjamin Dibrani dhe Eron Gojani.
Benjamin Dibrani, mesfushori i ardhur rishtaz në Kombëtaren U-21 shprehet shumë i lumtur për ftesën e marrë dhe e konsideron këtë moment si mjaft të rëndësishëm për vetën dhe karrierën e tij.
Ftesa nga Kombëtarja U-21 – Kam qenë shumë i lumtur kur e kam marrë vesh që Kombëtarja më ka bërë ftesë. Shumë i gëzuar dhe i lumtur dhe e kam parë si një mundësi të mirë për karrierën time.
Sa e rëndësishme është ftesa nga Kombëtarja për ty? – Është moment shumë i rëndësishëm për mua sepse të luash për Kombëtaren është një gjë e madhe dhe e rëndësishme. Për karrierën dhe për këtë moment që jam tani.
Si të kanë pritur lojtarët dhe si ka shkuar grumbullimi deri më tani? – Ka qenë shumë mirë. lojtarët më kanë pritur mirë, po kuptohemi shumë mirë me njëri-tjetrin. Kemi shumë kimi. Çdo gjë ka shkuar shumë mirë deri më tani me të gjithë, stafin, trajnerët, lojtarët. Trajningu është i fortë, niveli shumë i mirë.
Çfarë presim nga Dibrani në Kombëtare? – Është shumë e rëndësishme që të luaj për Kombëtaren. Të tregoj cilësitë që kam unë dhe të forcohemi më shumë për ndeshjet e ardhshme.
