
Sot, u mblodh Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme në Federatën Shqiptare të Futbollit. Presidenti i institucionit më të rëndësishëm në vend, Armand Duka së bashku me avokatin Envi Hicka kanë komunikuar vendimin se FSHF-ja ka pezulluar anëtarësimin në Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar.
Një hap befasues që ngrin në këtë mënyrë marrëdhëniet mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe KOKSH-it, duke mos pasur më asnjë komunikim mes tyre. Ndodh për herë të parë të merret një vendim i tillë, ku unanimisht u votua që FSHF të pezullonte anëtarësimin në Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar.
“Ne jemi detyruar t’i kërkojmë mbështetje Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së dhe i kemi propozuar këtë vendimmarrje.
Të japë pëlqim për pezullimin pa afat të të gjitha marrëdhënieve juridike me KOKSH deri në momentin kur gjendja e lirshmërisë të rikthehet. Vendimi i gjykatës së arbitrazhit sportiv të Lozanës të zbatohet plotësisht dhe KOKSH të veprojë në përputhje me statutin e saj dhe normat ndërkombëtare të vetëqeverisjes në sport.
E dyta të mbështesë Komitetin Ekzekutiv, Sekretariatin e FSHF-së në të gjitha përpjekjet juridike publike, për të vendosur gjendjen e lirshmërisë brenda KOKSH dhe ndërprerjen e klimës arbitrare ku kjo organizatë zhvillon aktivitetin e saj”, u shpreh avokati Hicka.