Shoqata Rajonale e Futbollit Elbasan ka mbyllur sezonin sportiv 2025/2026 me një sërë aktivitetesh dhe ceremonish vlerësimi për futbollin e moshave, duke kurorëzuar punën e klubeve, trajnerëve dhe qindra fëmijëve që kanë qenë pjesë e kampionateve gjatë gjithë vitit.
Në Kompleksin Sportiv “Pepa” u zhvillua ceremonia përmbyllëse e kampionatit U-7, ku morën pjesë ekipet Elbasani Junior, Pepa, FK Elbasani, AF Elbasani dhe Elit Sport 17. Në frymën e futbollit edukativ, të gjitha skuadrat u vlerësuan me kupa pjesëmarrjeje, duke përcjellë mesazhin se në këto grupmosha fitues janë të gjithë fëmijët që luajnë dhe argëtohen me sportin.
Po ashtu, SHRF Elbasan organizoi ceremonitë përmbyllëse të kampionateve U-9 dhe U-11, ku skuadrat pjesëmarrëse u shpallën simbolikisht kampione, duke vënë në qendër zhvillimin, edukimin dhe pasionin për futbollin.
Sezoni solli edhe kurorëzimin e kampionëve në kategoritë konkurruese. AF Bajrami u shpall kampione e Kategorisë së Dytë U-13 për zonën e Elbasanit, pasi fitoi 2-0 ndaj Shkumbinit në finalen e zhvilluar në stadiumin “Nexhip Trungu” në Cërrik.
Një tjetër sukses u regjistrua edhe në futbollin e vajzave, ku ekipi kampion U-13 dominoi kampionatin me vetëm fitore gjatë gjithë sezonit. Gjatë ceremonisë së vlerësimit, Sanja Isufi u shpall sportistja më e mirë e aktivitetit për paraqitjet e saj të shkëlqyera.
Ndërkohë, Turbina U-15 siguroi titullin kampion të Kategorisë së Dytë për zonën e Elbasanit pas një sezoni të suksesshëm dhe një gare të fortë mes 12 skuadrave pjesëmarrëse.
Në ceremonitë e organizuara nga SHRF Elbasan morën pjesë kryetari Ilirjan File dhe drejtori teknik Eriol Merxha, të cilët përgëzuan futbollistët e rinj, trajnerët dhe klubet për kontributin e dhënë gjatë sezonit, duke theksuar rëndësinë e futbollit në edukimin dhe formimin e brezave të rinj.
Aktivitetet përmbyllëse konfirmuan edhe një herë angazhimin e Shoqatës Rajonale të Futbollit Elbasan për zhvillimin e futbollit të moshave dhe krijimin e një mjedisi sa më të mirë për talentet e së ardhmes.
