Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina, mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme Zgjedhore të FSHF në cilësinë e zëvendës-presidentit të UEFA-s. Në fjalën e tij përshëndetëse, Gravina vlerësoi zhvillimin dhe progresin e futbollit shqiptar nën drejtimin e Presidentit Duka ndërsa theksoi edhe rëndësinë e bashkëpunimit të qëndrueshëm mes dy federatave dhe rolin që luan futbolli në forcimin e identitetit, miqësisë dhe vlerave të përbashkëta europiane.
Fjala e plotë e Presidentit të Federatës Italiane, Gabriele Gravina në Asamblenë e Përgjtihshme Zgjedhore të FSHF:
“Për mua një kënaqësi dhe krenari e madhe të ndaj këtë ditë diskutimi, me dëshirën dhe kënaqësinë për të ndarë një nga dimensionet më të bukura të sportit tonë, të futbollit, që është ndjenja e miqësisë, vlerësimi i atyre vlerave që ne duam të përhapim përmes lojës së futbollit.
Për mua është motiv krenari të takoj sërish delegatët, të përqafoj kulturën e një vendi që personalisht e dua, një kulturë që e kultivoj përmes artit dhe përmes ndjenjës së miqësisë së shumë protagonistëve shqiptarë që jetojnë në vendin tonë, në Itali.
Jam krenar që sot, në një botë ku shumë e duan protagonizmin dhe të qenit protagonist, të jem dëshmitar së bashku me Armand Dukën të atyre që janë kushtet reale, vlerave të vërteta, projekteve të vërteta dhe vizionit të vërtetë të një bote si futbolli.
E falënderoj Armandin pasi bashkë me të kemi ndarë mundësinë për të dhënë një kontribut të rëndësishëm në identitetin e vërtetë territorial të vendeve tona në nivel ndërkombëtar. Është një nga momentet më frymëzuese të aktivitetit tonë sportiv.
Sepse ne e dimë dhe jemi të vetëdijshëm që futbolli nuk është vetëm një lojë. Futbolli përbëhet nga vende të gjalla, vende ku identiteti territorial formohet, forcohet dhe transmetohet.
Por mbi të gjitha, ne e dimë që futbolli, për të rinjtë tanë dhe për shumë të rinj që i afrohen sportit tonë, është një botë përkatësie kolektive, vendi i parë i përkatësisë kolektive që i nxjerr jashtë familjes dhe shkollës.
Dua të falënderoj Armandin për mbështetjen e madhe që më ka dhënë mua personalisht dhe vendit tonë, Italisë që është i ansjelltë. Me të kemi pasur kënaqësinë, nderin dhe mbi të gjitha entuziazmin me rastin e asamblesë sime zgjedhore të 3 shkurtit 2025, të përjetonim gjithashtu një moment të madh të forcimit të lidhjes sonë të miqësisë, duke vizituar dhe duke pasur audiencën e fundit private me Shenjtërinë e Tij, Papa Françeskun. Ishte një moment i mrekullueshëm, në të cilin konsoliduam edhe më shumë miqësinë tonë.
Sot është një ditë feste, një ditë ku hidhen bazat për ndërtimin e një vizioni për të ardhmen e futbollit tuaj, që në fakt është edhe futbolli ynë. Është futbolli i Shqipërisë dhe futbolli i Europës sonë të mrekullueshme.
Prandaj, suksese dhe urime Armandit, por mbi të gjitha suksese ju të gjithëve për aktivitetin tuaj dhe për familjet tuaja.
Dhe gjithmonë: Rroftë futbolli”.
