Federata e Futbollit vijon punën konkrete për identifikimin dhe afrimin e talenteve shqiptare që jetojnë dhe zhvillojnë karrierën e tyre jashtë vendit. Në këtë kuadër, më 27 qershor u zhvillua aktiviteti “Open Stage” në kompleksin sportiv “Hudson Sports Complex” në New York, me pjesëmarrjen e rreth 130 futbollistëve dhe futbollisteve shqiptare nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadaja.
Seleksionimet u drejtuan nga ish-mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Ansi Agolli, së bashku me përfaqësues të Departamentit të Ekipeve Kombëtare në FSHF.
Në këtë aktivitet morën pjesë 121 djem dhe 9 vajza të datëlindjeve 2010, 2011, 2012, 2013 dhe 2014, të cilët patën mundësinë të shfaqnin cilësitë e tyre teknike dhe potencialin për t’u bërë pjesë e ekipeve kombëtare të moshave në të ardhmen.
Lojtarët e testuar vinin nga shtete të ndryshme të SHBA-së dhe Kanada-së, duke konfirmuar edhe një herë praninë e gjerë të komunitetit shqiptar dhe potencialin e madh që ekziston në diasporë.
Një nga aspektet më pozitive të këtij aktiviteti ishte numri i konsiderueshëm i futbollistëve të grupmoshave më të reja. Kjo tregon se në vitet e ardhshme baza e talenteve shqiptare në Amerikën e Veriut pritet të zgjerohet edhe më tej, duke krijuar mundësi të reja për ekipet kombëtare shqiptare.
FSHF mbetet e angazhuar për të ndërtuar ura të forta bashkëpunimi me komunitetet shqiptare në mbarë botën, duke ndjekur nga afër zhvillimin e talenteve dhe duke u ofruar atyre mundësinë për t’u bërë pjesë e familjes kuqezi.
