Volejbollisja e Dinamos, Nayara Ferreira është prej ditësh në qendër të mediave për shkak të pezullimit të saj nga Federata Shqiptare e Voljebollit për testin e gjinisë. Ditën e sotme braziliania akuzoi FSHV-në se po fshihnin të vërtetën dhe se pyeste se nga çfarë kanë frikë që po e bëjnë diçka të tillë.
Tashmë nuk ka vonuar reagimi i Federatës Shqiptare të Volejbollit, e cila shkruan se disponojnë të gjitha dokumentacionin e nevojshëm dhe do të shikojnë me përpikmëri të gjitha detajet, ndërsa ende nuk ka një vendim mbi këtë situatë.
Ndërkohë te FSHV akuzojnë drejtuesit e ekipit të Dinamos për kërcënime, ndërsa iu bëjnë thirrje të vetëpërmbahen.
“Deklaratë e Federatës Shqiptare të Volejbollit
Federata Shqiptare e Volejbollit (FSHV) po ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit që lidhen me znj. N.F. dhe dëshiron të informojë opinionin publik, si dhe të gjithë të interesuarit, se FSHV disponon të gjithë dokumentacionin dhe korrespondencën përkatëse me ekipin Dinamo Volley, ndërkohë që është në pritje të përmbushjes së detyrimeve përkatëse ndaj komunitetit të volejbollit, në lidhje me zgjidhjen e këtij rasti.
Federata garanton se do të veprojë me transparencë të plotë në çdo hap të ndërmarrë gjatë këtij procesi, por njëkohësisht shpreh shqetësimin për përdorimin e këtij rasti, i cili është tërësisht sportiv, si pretekst për shkelje të të drejtave të individit apo të komuniteteve të caktuara.
FSHV ka zbatuar me rreptësi të gjitha procedurat ligjore dhe statutore, në bashkëpunim të ngushtë me KOKSh dhe partnerët e saj ndërkombëtarë — FIVB dhe CEV.
Bordi Drejtues i FSHV-së ka referuar pranë Komisionit të Disiplinës rastet e fyerjeve dhe intimidimeve publike të bëra nga disa eksponentë dhe drejtues të shoqatës Dinamo Volley, në media dhe rrjete sociale. Federata u bën thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë që të vetëpërmbahen nga deklarata të pavërteta, dezinformuese apo dashakeqe, të cilat dëmtojnë partneritetin dhe bashkëpunimin institucional midis palëve.
Federata Shqiptare e Volejbollit rikujton se është organi përgjegjës për mbarëvajtjen, zhvillimin dhe organizimin e volejbollit në Shqipëri, dhe siguron të gjithë aktorët e përfshirë se do të vazhdojë të zbatojë me përpikmëri të gjitha detyrimet statutore dhe ligjore.
Tiranë, më 28 Tetor 2025”, shkruajnë në postim.
View this post on Instagram

