Komuniteti i sportit të raftin në Përmet raportohet se është thirrur për një dëgjesë dhe takim konsultativ me ministrin Sofjan Jaupaj, pas agravimit të situatës në qytetin buzë Vjosës, sepse Policia ka marrë urdhër të mos lejojë asnjë gomone.
Në qendër të debatit është Plani i Masave që kufizon sportin e rafting vetëm në periudhën 1 Maj - 15 Tetor, një vendim që operatorët turistikë e cilësojnë si "shkatërrues" për ekonominë lokale.
Përmetarët njoftojnë se nesër, më 24 Mars ora 14:00, janë thirrur në Ministrinë e Mjedisit dhe theksojnë se nuk janë ata shkatërruesit e Vjosës, por personat që marrin inerte nga shtrati i lumit, ata që peshkojnë me dinamit dhe energji elektrike, si dhe ata që hedhin mbeturina, jo aventurierët e rafting.
Ndryshe nga Plani i Masave, përmetarët thonë se sezoni i rafting në lumin Vjosa duhet të zgjatet nga 15 Marsi deri më 1 Nëntor, sepse përndryshe turizmi në jug do të tkurret dhe pasojat e tjera negative do të jenë të mëdha.
"Të gjithë ju përmetarë që merreni me rafting e me turizëm duhet të përfaqësoheni denjësisht si një trupë e vetme pa sharë e pa spiunuar njëri-tjetrin, me një qëllim të qartë për zgjatjen e sezonit të raftingut në Vjosë nga 15 marsi deri më 1 nëntor", thuhet në reagim.
Ndërhyrja e Policisë duke ndaluar sportistët dhe të gjithë aventurierët e raftin në Vjosë është dënuar edhe nga Zamo Spathara, drejtuesi dhe themeluesi i Federatës Shqiptare të Rafting, i cili thotë se efektivët kanë ndërhyrë në momentin kur të pranishëm kanë qenë edhe shumë turistë.
"Ne zhvillojme rafting ne 8 km nga 190 km te lumit Vjosa ne territorin shqiptar, ndikimi i ketij sporti ne ekosistemin e Vjoses eshte i paperfillshem. Nuk ka asnje studim shkencor qe te vertetoje qe rafting ne 8 km do te ndikoje ne flouren dhe founen e Parkut", shkruan ai.
Zamo Spathara evidenton se ndalimi i rafting dhe kufizimi i aktivitetit me data dhe orare pa u konsultuar me ata që janë përditë duke pritur turistët, sjell dëme të drejtpërdrejta ekonomike për guidat lokale, restorantet, hotelet, baret, supermarketet, pikat e karburantit dhe operatorë të tjerë turistikë.
