
Kombëtarja U-19 barazoi 2-2 në miqësoren e dytë ndaj Irlandës, e zhvilluar ditën e sotme në stadiumin e Luzit.
Për kuqezinjtë golat i shënuan në pjesën e dytë Nuredini dhe Kulla.
Trajneri Juljan Ahmataj e nisi ndeshjen me këtë formacion titullar: Culi, Avdullari, Çekrezi, Sina, Huqi, Krasniqi, Nuredini, Kulla, Yoni El Malem, Llana dhe Sheji.
Në pjesën e parë nuk u shënua asnjë gol, ndërsa në fraksionin e dytë miqtë e nisën më mirë dhe morën avantazhin me Daniel Mare në minutën e 53-të.
Reagimi i Shqipërisë ishte i menjëhershëm, pasi kuqezinjtë përmbysën rezultatin. Fillimisht Joi Xheto Nuredini barazoi në minutën e 62-të, ndërsa Gabriel Kulla realizoi golin e dytë në minutën e 70-të, duke i çuar shifrat në 2-1.
Kur gjithçka po shkonte drejt fundit, Irlanda gjeti barazimin me Pijus Otegbayo dhe ndeshja u mbyll 2-2.
Dy miqësoret ndaj Irlandës u mbyllën me një fitore dhe një barazim për Shqipërinë U-19.
Këto miqësore ishin testi i fundit për kuqezinjtë para nisjes së kualifikueseve të Kampionatit Europian U-19, që do të luhen muajin e ardhshëm.