
Italia arriti fitoren e dytë në Kampionatin Europian U-17 “Shqipëri 2025”, duke mposhtur Anglinë me rezultatin 4-2 në “Egnatia Arena”. Falë këtij suksesi të dytë radhazi, “axurrët” sigurojnë një vend në gjysmëfinalet e Kampionatit Europian U-17 “Shqipëri 2025”. Në “Egnatia Arena” u zhvillua një ndeshje shumë e bukur dhe e luftuar, ku tifozë të shumtë kishin mbushur shkallët e stadiumit për të ndjekur këtë përballje.
Italia e nisi më mirë ndeshjen dhe në minutën e 10-të fitoi një penallti, e cila u kthye në gol nga Samuele Inacio. Anglia reagoi shpejt dhe barazoi në minutën e 23-të me Alejandro Rodriguez. “Tre Luanët” ishin pranë përmbysjes me një tentativë të Max Doëman, por portieri italian reagoi në mënyrë vendimtare. Në minutën e 37-të, Italia riktheu avantazhin me Cristiano De Paoli, i cili përfitoi nga rrëmuja në zonë dhe çoi topin në rrjetë.
Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 2-1 për Italinë. Fraksioni i dytë nisi në mënyrën më të mirë për Anglinë, që barazoi sërish me Rodriguez në minutën e 49-të. Megjithatë, Italia reagoi dhe shënoi edhe dy herë të tjera me Thomas Campaniello dhe Andrea Luongo, duke vulosur fitoren 4-2. Ndeshja e tretë e grupit për Italinë do të jetë ndaj Belgjikës në stadiumin “Niko Dovana”, ndërsa Anglia do të përballet me Çekinë në “Egnatia Arena”. Të dyja sfidat do të luhen më 26 maj, në orën 20:30.