
Vllaznia është ekipi për t’u mundur në Superiore. Shkodranët po shkëlqejnë javë pas jave duke i ngjitur në renditje, por s’kanë ndërmend të ndalen me kaq.
Sot luajnë përballë Skënderbeut në Korçë dhe duan 3 pikët e rradhës për të shfrytëzuar maksimalisht ‘asistin’ që Tiranai bëri duke ndalur Egnatian. Një fitore e ngushton diferencën me vetëm 2 pikë.
Kjo Vllaznia ka lider në secilin repart, por ato që po e marrin për dore skuadrën janë dyshja e sulmit Bekim Balaj dhe Ildi Gruda. Të dy së bashku kanë shënuar plot 23 gola këtë sezon, më shumë se çdo dyshe tjetër. Balaj ka tundur 15 herë rrjetën duke qenë kryegolashënuesi në këto 27 javë, ndërsa Gruda 8 herë dhe mban vendin e dytë baraz me Bintsouka të Partizanit.