
Milan arriti të rikthehej te fitorja në kampionat, teksa mposhti 1-0 Veronan, ndërsa hedh prapa krahëve humbjen në derbi me Interin. Rafael Leao shënoi golin që i dhuroi kuqezinjve 3 pikët, por gjithsesi portugezi është problemi i kësaj skuadre sipas legjendës, Arrigo Sacchi.
“Leao shënoi një gol të bukur ndaj Veronës, por Milani është shumë i varur nga portugezi dhe ky është një problem. Me mënyrën si qëndron në fushë, faktin që nuk kthehet për të mbrojtur dhe me mungesën në pjesëmarrje në punën e të gjithë grupit, bën që Milani me Leaon të mos shfaqet si një skuadër në fushë.
Nëse kërkojnë që ekipi të rrisë performancën dhe të aplikojnë një futboll europian, atëherë është thelbësore që të gjithë të jenë funksionalë në projekt dhe të dijnë të sakrifikojnë për skuadrën. Është e dukshme që Milani po kërkon të përmirësohet, por ka ende disa hapa që duhen ndërmarrë. Një humbje si ajo që pësuan në derbi nuk kalon lehtë”, u shpreh Sacchi.