Egnatia do të udhëtojë drejt stadiumit “Elbasan Arena” për ndeshjen e dytë gjysmëfinale përballë Elbasanit, pas barazimit 1-1 në Rrogozhinë në aktin e parë, në takimin që pritet të nisë sot në orën 19:00.
Skuadra e Edlir Tetovës është në kërkim të finales së katërt në 4 vitet e fundit, ndaj dhe përballë kundërshtarit do të tentojë t’i shkojnë deri në fund misionit për ta mbyllur sezonin faqebardhë.
Rreziku që i kanoset në kampionat, pasi ka humbur ritmin në javët e fundit, duke bërë që beteja të vijojë mes Vllaznisë dhe verdhebluve, detyron rrogozhinasit që të kthejnë faqen dhe të marrin së paku një trofe në një edicion me shumë debulesa.
Njoftimi i largimit të Tetovës nga detyra në përfundim të sezonit, mund të shërbejë si një motiv ekstra që djemtë ta shpërblejnë teknikun durrsak për gjithë punën e bërë duke i dhuruar në palmarin e trofeve kupën e tretë të Shqipërisë.
