Janë zhvilluar këtë të martë ndeshjet e para gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, ku të dyja përballjet janë mbyllur në barazim 1-1, duke lënë gjithçka të hapur për sfidat e kthimit.
Në stadiumin “Air Albania”, sfida mes Dinamo City dhe Vllaznisë përfundoi 1-1. Shkodranët kaluan në avantazh në minutën e 43-të me Bismark, ndërsa Dinamo City arriti të barazojë në minutat shtesë të takimit me Bregun, duke mbajtur të hapur garën për kualifikimin në finale.
Barazim me të njëjtin rezultat u regjistrua edhe në përballjen tjetër gjysmëfinale mes Egnatias dhe AF Elbasanit. Vendasit kaluan shumë shpejt në avantazh, teksa Sota realizoi në minutën e 5-të. Megjithatë, AF Elbasani reagoi dhe barazoi në minutën e 44-t me Gomes.
Pas këtyre rezultateve, gjithçka do të vendoset në ndeshjet e kthimit, ku do të përcaktohen edhe dy skuadrat finaliste të këtij edicioni të Kupës së Shqipërisë.
Kupa e Shqipërisë, ndeshjet e para gjysmëfinale
Dinamo City – Vllaznia 1-1
Egnatia – AF Elbasani 1-1
