
Dinamo është përmirësuar në fazën e dytë të kampionatit, duke marrë pushimet si vend i pestë. Dora e Dritan Mehmetit u ndje dhe ai ka folur për këtë gjë, madje duke krahasuar dhe ecurinë e Egnatias kryesuese me Dinamon.
Mehmeti nuk e mohon faktin që ekipi ka nevojë për t’u përforcuar, duke treguar se pret afrime në mbrojtje, mesfushë dhe sulm. Më poshtë mund të lexoni intervistën e dhënë për Sport News në News24.
Mehmeti, mbyllët gjysmën e parë të sezonit në vendin e 5-të me 22 pikë, 4 pikë larg zonës “Final 4”, por një pikë larg zonës “play out”. Cila është Dinamo e vërtetë? Për çfarë lufton realisht Dinamo këtë sezon?
Normalisht po ta shikosh renditjen, është kampionat i vështirë. Nga vendi i 3-të deri te i fundit ka ndryshim shtatë ose tetë pikë. Kjo e bën edhe më të paparashikueshëm këtë kampionat. Objektivi kryesor është që të kemi stabilitet dhe të qëndrojmë këtu ku jemi. Kemi patur ndryshime dhe duke patur shumë elementë të ri, shkalla e vështirësisë të kampionatit është rritur. Mendoj që duhet të shikojmë gjithçka, shpresojmë që të rregullojmë diçka edhe pse merkato e janarit është e vështirë.
Keni bërë një analizë, keni diskutuar me drejtuesit? Çfarë kërkojnë ata, sa të kënaqur janë?
Analiza bëhet sa i takon rezultateve. Për fazën e dytë, që prej kur drejtoj skuadrën, kemi marrë 15 pikë, 3 pikë më pak se vendi i parë që është Egnatia. I kemi marrë më të mirën fazës së dytë.
Janë të kënaqur?
Drejtuesit duan maksimumin. Ky kampionat është i vështirë dhe ne duhet të dimë vlerat e vetes. Rëndësi ka që jemi në Superligë, pastaj nëse jemi konkret në lëvizje, mund të mendojmë gjëra të tjera.
Po ju Mehmeti jeni i kënaqur me pozicionin tuaj? Keni garanci në lidhje me të ardhmen?
Sa i përket pozicionit, dihet që trajneri është përherë i rrezikuar. Puna matet përherë me rezultate. Sa i përket rrezikut, jam i qetë dhe jap gjithçka për klubin. Gjithçka varet nga rezultatet.
Keni kërkuar përforcime në janar, për çfarë ka nevojë ky ekip, ku do të ndërhyni?
Te pjesa e mesfushës, pra një fantazist. Na duhet edhe një mbrojtës dhe një sulmues. Duhet të shikojmë që edhe ekipet e tjera kanë elementë, kampionati është i vështirë. Kemi edhe kupën, prandaj këmbëngul që të kemi përforcime. Në futboll mund të kesh dëmtime dhe penalizime.
Pas gjysmës së parë të sezonit tani e keni krijuar një ide më të qartë, është e vështirë të konkurrosh me ekipet e para? Flas këtu të konkurrosh me ekipe si Egnatia, Partizani apo Tirana. Mund të konkurrojë Dinamo me këto ekipe?
Ne kemi patur probleme për shkak të tranzicionit. Ne duhet të jemi të kënaqur që jemi pjesë e Superligës. Ne duhet të jemi konkret në objektivat tona.
Sa ndikon fakti që nuk luani në kryeqytet, a ndihet presioni i tifozëve te Dinamo?
Kjo nuk është për fajin e Dinamos, por për çështjen e stadiumeve. Kemi zgjedhur Durrësin pasi kemi vështirësi me stadiumet. Çdo ekip do të luajë në qytetin e vet.
Keni një premtim për ta, kur mund të rikthehet Dinamo të rikthehet të konkurrojë për trofe?
Nuk bëj premtime, është e vështirë të bësh premtime. I premtoj tifozëve që do bëj maksimumin që të rikthej Dinamon në lojërat më të mira. U kërkoj që të jenë të durueshëm. Mendoj që gradualisht duhet të jemi me këmbë në tokë dhe të shikojmë gjërat e vogla.