
Sezoni i ri i Kampionatit të Kategorisë së Parë 2025-2026 nis të shtunën, më 23 gusht, në orën 17:00, ku do të luhen katër ndeshjet e para. Java e parë do të mbyllet të dielën me sfidën Pogradeci – Lushnja.
Në prag të rifillimit të kampionatit, edhe Sektori i Arbitrimit në FSHF po kryen përgatitjet e fundit. Janë mbyllur me sukses testet fizike për arbitrat dhe asistentët e Kategorisë së Parë, ndërsa në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” po zhvillohet seminar teorik.
Gjatë seminarit po trajtohen tema të ndryshme me fokus ndryshimet në rregulloren e lojës për sezonin 2025/2026. Në qendër të diskutimeve janë gjithashtu sistemi VAR, incidentet në zonën e penalltisë, prekjet me dorë dhe situata të ndryshme të lojës. Arbitrat dhe asistentët i janë nënshtruar edhe provimit teorik, si dhe kanë punuar në grupe për analiza të rasteve konkrete.
Po ashtu, Sektori i Arbitrimit zhvilloi edhe seminarin me vëzhguesit e Kategorisë së Parë, duke diskutuar për nisjen e sezonit të ri dhe çështjet që kërkojnë përmirësim.