
Armand Duka është shpallur si një nga personazhet e vitit nga emisioni “Opinion” në TvKlan që drejtohet nga Blendi Fevziu. Pas këtij vlerësimi, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit sigurisht që foli për aventurën e Europianit që e pret Kombëtaren tonë.
Duka shprehet se duhet ta shijojmë Europianin, pasi e kemi një nevojë të tillë. Madje ai tregon se në një takim me homologun e tij italian, Duka i ka thënë se do t’i mposhtim.
“Ajo që kam këshilluar të tjerëve është ta shijojmë një herë këtë që kemi arritur sepse kemi nevojë ta shijojmë sepse nuk kemi shijuar shumë gjëra të bukura. Ta shijojmë deri në Qershor dhe ta shijojmë edhe pjesëmarrjen atje. Padyshim që kam shumë besim tek ekipi, siç kam pasur besim që e komentove me skepticizëm, kualifikimin në Europian, kam sërish besim që mund ta kalojmë grupin.
Momenti më i keq? Ka patur shumë, por ka qenë presioni i madh psikologjik në ndeshjen përballë Armenisë në “Elbasan Arena”. Armenët ishin në avantazh 0-1 deri në fundin e ndeshjes, ku ne përmbysëm me Mavraj dhe Gashin", tha Armand Duka.