
Xhudisti shqiptar Indrit Çullhaj ka treguar një hitori nga jeta e tij, ku tregon për vështirësitë në fillimet e tij në sportin e xhudos. Pas një pune të lodhshme, ai ka arritur të bëjë realitet ëndrrën e tij, të bëhet xhudist profesionist dhe të fitojë tituj të rëndësishëm.
Indrit Çullhaj po ndjek gjurmët e Majlinda Kelmendit, për t’i siguruar Shqipërisë medaljen e parë në Olimpiadën “Tokio 2020”. Mbi këtë qëllim, kampionin shqiptar të xhudos e gjen shpesh në Kosovë, ku po stërvitet nga trajneri Driton Kuka, trajneri që i siguroi medalje ari Kosovës në Olimpiadën "Rio 2016"
Ai ka treguar historinë e tij ekskluzivisht për Newsport.al, ku zbulon disa detaje nga jeta e tij, që nga fillimi i ushtrimit të këtij sporti, deri te fitimi i 60 medaljeve në total në të gjitha kampionatet që ai ka marrë pjesë brenda dhe jashtë vendit.
Historia e xhudistit Indrit Çullhaj ekskluzivisht për Newsport.al
"Në vitin 2007 nis sportin pranë shtëpisë time, aty u grumbulluan nga të gjitha lagjet dhe unë isha një djalë me plot energji. Babai më futi në sportin e xhudos që këto energji t'i jepja në sport e jo jashtë saj, aty mësova se çfarë ishte disiplina dhe edukata sportive që na mësoi të ishim të kujdesur dhe të matur me edukatë e jashtë saj.
Ushtroja përditë e më shumë sepse e mora shumë me pasion bashkë me vellain tim, trajneri pas dy mujsh stervitje, pa tek unë një arritje të madhe e me çon në turneun e parë që u zhvillua në "Don Bosko", aty këtë turne jam rënditur i dyti dhe jam mërzitur shumë dhe nga ajo ditë e më pas kam punuar me ore të zgjatura, që të bëja një karrierë të madhe, një emër të madh dhe ti sillja medalje të mëdha Shqipërisë. Kam shkuar në 100 kampionate a më shumë dhe kam arritur të fitoj gjatë 10 viteve 60 medalje kombëtare e ndërkombëtare. Lodhesha shumë dhe mendoja vetëm diçka, që një ditë do vijë dhe medalja e ëndrrave të mija. Merzitesha se, familja me paratë e tyre s'mund të mi plotësonin të gjitha kushtet, por unë nuk i kërkoja asgjë, ata kuptonin po s'kishin çfarë të bënin. Fitova para në aktivitetet që shkoja dhe me ato para bleva akletet e para që të bëja stervitje më mirë, se ato që kisha më vrisnin shumë.
10 vite su munda nga askush në Shqipëri. Që në moshën 15-16 vjeç merrja pjesë në garat për të rritur, që të arrija të merrja një rrogë nga federata dhe ja arrita.
Kisha grumbulluar disa para me këto aktivitetet dhe stërvitjen e parë vi në Kosovë tek kampionia botës, Majlinda Kelmendi, sepse në Shqipëri konkurenca për mua u bë e vështirë sepse unë i mundja çdo ditë e s'kisha rivalë aty për të shkuar e fituar medalje të mëdha. Me atë stërvitje në Shqipëri medalja ishte shumë largë meje dhe mendova të shkoj në Kosovë.
Ëndrra ime ishte të stervitesha nga duart e këtij trajneri të madh.
Trajneri Driton Kuka më vë në provë javën e parë dhe shikon se kisha një talent, e më thotë: "që sot e tutje shkollën e lartë do të ta paguaj unë, shtëpinë dhe fjetjen do e kesh nga unë, ti thjesht ushqimin mundohu të sigurosh vetë. Këto janë kushtet e mia që ti të stervitesh me programet e nivelit botëror". Aty mësova se çfarë ishte xhudo e vertetë. Tashmë më presin kampionatet e mëdha si ballkanike, europiane, botërore dhe olimpiada. Kisha vite të veshtira në jetën time në Shqipëri që s'kanë të mbaruar, por besoj se një ditë gjithë këto vuajtje do shpërblehen, duke fituar një medalje që unë e mendoj çdo ditë", përfundon rrëfimin për Newsport.al xhudisti Indrit Çullhaj.
[gallery columns="1" size="full" ids="135092,135093,135094,135095"]