
Dinamo humbi 2 me 3 derbin me Tiranën të luajtur në stadiumin “Niko Dovana”, Kjo ndeshje ka tronditur dinamovitët, pasi erdhi me përmbysje kur rezultati ishte 2 me 0 në favor të tyre.
Nga minuta e 57’, kur Hoxhallari shënoi të parin për Tiranën dhe deri te përmbysja e Latifit me penallti në minutën e 82’, nuk janë shumë kohë për të hedhur poshtë çfarë u krijua më parë.
Por a rrezikon Dritan Mehmeti? Trajneri që pasoi Di Biagion në stolin e Dinamos mban dhe presionin më të madh. Në përfundim të ndeshjes ai vuri theksin te eksperienca e lojtarëve dhe nevoja për përforcime.
Vendi i 5 në tabelë, por me vetëm 3 pikë më shumë se i 9 që është Kukësi me një ndeshje më pak të luajtur, shton presionin. Objektivi minimal i Dinamos në ndërtimin e skuadrës së këtij sezoni shihet Europa dhe zona e “final 4”. Për këtë kjo humbje në derbi “djeg” sepse viti niset me zhgënjim.
Mbetet për t’u parë çfarë do ndodhë në vazhdim. Ndeshja e radhës luhet me Skënderbeun në transfertë, më 20 janar.