
Situata mes Interit dhe Juventusit është gjithmonë e nxehtë. Në fushën e lojës skuadrat kanë inate të vjetra e të reja që nuk ndalojnë kurrë. Mirëpo, së fundmi këto ‘luftëra’ kanë nisur edhe në merkato.
Mediet italiane raportuan mëngjesin e sotëm se bardhezinjtë janë pranë akordit me Romelu Lukaun duke bërë një ofertë më të lartë se Interi drejt Chelseat. Kjo nuk është pritur aspak mirë në kampin zikaltër të cilët kanë mbetur të zhgënjyer edhe nga vetë sulmuesi që konsiderohej një prej të preferuarve të tifozërisë.
Mesa duket, Interi ka vendosur të marrë hak. Mediet në Itali bëjnë sërish me dije se zikaltërit kanë arritur akordin me Juan Cuadradon për të përforcuar krahun e djathtë të mesfushës. Kolumbiani, ashtu si Lukaku është idhull i tifozërisë së ekipit të tij. Lojtari dhe klubi do të firmosin një kontratë 1-vjeçare dhe zyrtarizimi pritet së shpejti.