Trajneri Stale Solbakken, ka publikuar listën paraprake të lojtarëve që pritet të përfaqësojnë Norvegjinë në Kupën e Botës 2026. Kombëtarja nordike rikthehet në Botëror pas 28 vitesh mungesë dhe synon të surprizojë me brezin e artë të udhëhequr nga Erling Haaland dhe Martin Odegaard.
Në portë, Solbakken ka zgjedhur eksperiencën e Orjan Nyland dhe Egil Selvik, ndërsa surpriza më e madhe është talenti Sander Tangvik, i cili merr ftesën e parë për një turne madhor. Në mbrojtje spikasin Kristoffer Ajer, Leo Ostigard dhe Julian Ryerson, ndërsa në mesfushë do të jenë motorët e ekipit Martin Odegaard, Sander Berge dhe Patrick Berg.
Sulmi pritet të jetë arma kryesore e Norvegjisë, me Erling Haaland dhe Alexander Sorloth që formojnë një nga dyshet më të forta në Evropë. Në listë janë përfshirë edhe talentet e rinj Antonio Nusa dhe Oscar Bobb, të cilët kanë impresionuar gjatë sezonit.
Norvegjia do të luajë në një grup shumë të fortë së bashku me Francën, Senegalin dhe Irakun, ndërsa mediat europiane e konsiderojnë skuadrën e Solbakken si një nga “surprizat e mundshme” të turneut.
