
Serbi – Shqipëri është “finalja” e madhe për kualifikueset e Kupës së Botës 2026. Kjo sfidë pas kërkesës që Federata Serbe e Futbollit i ka bërë UEFA-s nuk do të luhet në Beograd.
Tashmë sipas gazetarit Endi Tufa bëhet me dije se stadiumi “Rajko Mitic” nuk do të presë këtë përballje, pasi serbët nga frika e trazirave kanë kërkuar që të luhet në një tjetër impiant.
Kërkesë e cila është pranuar nga UEFA dhe dueli Serbi – Shqipëri do të zhvillohet në Leskovaci në stadiumin “Doçica”. Zyrtarizimi pritet të bëhet nga UEFA në ditët e ardhshme.
Ndërkohë sa i takon stadiumit ku do të zhvillohet sfida, ka një kapacitet prej 8.000 vendesh, shumë i vogël në krahasim me stadiumin në Beograd, i cili ka kapacitetin 52.000.
Ndërkohë vlen të theksohet se për shkak të sjelljes së tifozëve në ndeshjen me Anglinë, Serbia pritet të marrë një dënim të rëndë. Kjo ka të bëjë edhe me mbylljen e një pjese të stadiumit, si dhe gjobë financiare. Gjithsesi pritet që UEFA të dali me një njoftim zyrtar në ditët e ardhshme.