
Napoli dhe Inter janë akoma në garë për titullin kampion të Serie A italiane. Gjithçka ka mbetur të luhet në javën e fundit, atë të 38-të të kampionatit italian, e cila ishte parashikuar të zhvillohej të dielën.
Por jo, Napoli dhe Inter do të zbresin në fushë ditën e premte. Skuadra e Antonio Contes do të përballet me Cagliarin, ndërsa “djemtë” e Simone Inzaghit do të masin forcat me Como. Këto dy sfida do të luhen paralelisht duke nisur nga ora 20:45.
Vlen të përmendet se Interi kërkoi që të luante të enjten në darkë përballë Comos, për shkak të impenjimit në finalen e UEFA Champions League, e cila do të zhvillohet të shtunën e 31 majit.
Megjithatë, gjithçka është e vendosur dhe skuadrat do të zbresin në fushë për të kërkuar trofeun këtë të premte.
Kujtojmë se pas 37 javësh të luajtura, napoletanët mbajnë vendin e parë në renditje me 79 pikë. Në krahun tjetër, me 78 pikë, Interi renditet i dyti në tabelën e klasifikimit.